Është një kënaqësi të dëgjosh trajnerin e Liverpulit në konferencën për shtyp, qoftë edhe përpara ndeshjeve më të vështira, dhe ai mbeti vetvetja edhe në sallën mediatike në “Kamp Nou”. Ndërsa “bota pritet të mbajë frymën” për duelin me Barcelonën, gjermani gjeti kohën të shprehte me shaka dhe humor mendimin e tij për premtimin e bërë nga Lionel Mesi në gusht të vitit të kaluar se “do të bëjmë të pamundurën ta sjellim këtë trofe në shtëpi”.
“I dëgjova fjalët e Mesit në atë kohë, – tha Klopi, – dhe sinqerisht m’u dukën si kërcënim. Tani, ja ku jemi përballë dhe të dyja skuadrat duan që të shkojnë në finale. Nuk është thjesht duel me Mesin, por është padyshim duel me Mesin. A mund të përqëndrohemi tek Mesi? Në momente të caktuara, patjetër që po, por Barça ka edhe 10 lojtarë të klasit botëror rreth tij që mund të vendosin ndeshjen”.
Jurgen Klopi vlerësoi se Barcelona ka skuadër më cilësore në Europë, dhe se është që tani kampione e Spanjës, dhe shtoi se katalanasit janë në majë për një kohë të gjatë. “Dikush thotë se nuk është i njëjti ekip pa Ksavin dhe Iniestën, – u shpreh ai, – por, kanë 20 vjet në këto nivele, ndërsa ne vetëm dy vjet”. Së fundi, Klopi u shpreh i lumtur që do të takohej me ish-lojtarin e tij, Filip Kutinjon.
Sfidanti.al