Besohet se është sfida më e fortë e plej ofit deri tani, me klas të madh nga të dyja skuadrat, dhe me rezultat të ngushtë në çdo ndeshje. Golden Stejti arriti fitoren e dytë radhazi (115-109), në dy ndeshje, ndaj Hjustonit, duke e shfrytëzuar maksimalisht faktorin fushë, por edhe faktorin “Kevin Durant”.
Ylli me numrin 35 në fanelë shënoi 29 pikë, duke qenë më i miri për vendasit, edhe pse barabar me kapitenin rival, Xhejms Harden. Ai shtoi edhe 5 topa në tabela, 4 asistë, 1 vjedhje dhe 2 bllokime gjuajtjesh, ndërsa ishte në parket për gati 44 minuta. Harden u përgjigj po me 29 pikë, si dhe 7 topa në tabela, 4 asistë dhe 1 vjedhje topi.
Hjustoni e nisi më mirë ndeshjen duke kryesuar me diferencë në periodën e parë, por kampionët mundën të përmbysnin gjendjen dhe të krijonin avantazh të rëndësishëm, deri në 10 pikë. Në periodën e katërt, ekipi nga Teksasi u afrua në 89-92, por Stefën Kërri dhe Klej Tompson shënuan tripikësha duke mos lejuar befasinë.
Kapiteni Tompson shënoi 21 pikë, kapi 5 topa në tabela e vodhi 3 topa nga kundërshtarët, ndërsa Kërri pati 20 pikë e 5 asistë. Drejmond Grin, pavarësisht nervave dhe gabimeve teknike, shënoi 15 pikë, kapi 12 topa në tabela, shërbeu 7 asistë dhe vodhi dy topa. Për Hjustonin, mirë luajtën Kris Pol (18 pikë), Erik Gordon (15), Klint Kapela (14 pikë, 10 tabela) apo Taker (13 pikë, 10 tabela). Ndeshja e tretë do të luhet në Hjuston, të shtunën.
Sfidanti.al