Klop nuk bën “gabimin” e Rejës: Mos e nënvleftësoni Napolin!

Shprehja e tij e saktë ishte se nuk duhet shikuar përtej së mërkurës, pavarësisht nga kalendari tepër i ngjeshur. Jurgen Klop është kaq shumë i fiksuar pas ndeshjes së Championsit ndaj Napolit, saqë i bëri edhe një paralajmërim publik lojtarëve të tij që të kenë mendjen. “Gabimi më i madh që mund të bëjmë është që të mendojmë se çfarë mund të ndodhë nëse ne fitojmë, – tha Klopi, – por, po kështu është edhe për Napolin. Nuk duhet të mendojmë për ndeshjen ndaj Salcburgut dhe për ngarkesën e kalendarit, por t’i marrim ndeshjet me radhë”.

Nëse Liverpuli fiton ndaj Napolit, atëherë siguron vendin e parë në grup dhe mund të bëjë rotacion ndaj Salcburgut, për të përballuar periudhën shumë të ngarkuar të dhjetorit deri në fillim të janarit. “Të mos harrojmë se humbëm në ndeshjen e parë në Napoli, – tha Klopi, – kemi përballë një skuadër shumë të fortë, pavarësisht problemeve në kampionat. Ne e pamë edhe vjet sesa e vështirë ishte”. Lajmi i mirë i dhënë nga Klopi ishte që Mohamed Salah është në formë të mirë për të luajtur, pavarësisht se mungoi të shtunën në kampionat ndaj Kristël Palasit.

Sfidanti.al