Poçetinos tek Bajerni? Jo para se të nisë kursin e gjermanishtes!

Disa muaj më parë thuhej se këtë kurs po e bënte Zhoze Murinjo, por ai papritur iu kthye anglishtes së tij “të dashur”. Maurisio Poçetino, ndërkaq, nuk mund të qahet për anglishten pasi punoi për 5 sezone tek Totenhemi dhe një vit tek Sauthemptoni, por tashmë sfidat e karrierës kërkojnë diçka tjetër. Trajneri që di spanjishten (si argjentinas që është) dhe që ia del shumë mirë në anglisht, duhet të pasurojë vetveten me një gjuhë të re, gjermanishten.

Të paktën, kjo është këshilla që i vjen atij nga Gjermania. E thotë ish-ndihmësi i tij, Shtefen Frojnd, ish-lojtar i kombëtares gjermane, si dhe trajneri i Fortunës së Dyseldorfit, Funkel. “Poçetino është trajner shumë i mirë, dhe e ka treguar këtë tek Totenhemit, duke dalë 4 herë në Champions, ndonëse kishte në dorë skuadrën me buxhetin e 6-të në Premier Ligë, – tha Frojndi, – po ashtu rriti yje të rinj si Dele Ali apo Harri Kejn, pra është shumë interesant, por nuk mund të përshtatet tek Bajerni. Ai pëlqen më shumë të flasë spanjisht, por është e pamundur që tek Bajerni të kesh sukses pa gjermanisht”. Ky ishte edhe mendimi i Funkelit që theksoi se “trajneri duhet të komunikojë intensivisht me lojtarët, ndaj duhet gjuha”.

Sfidanti.al