Pogba kthehet për 10 ditë, pavarësisht fotos në “spital”

Pak ditë më parë botoi në rrjetet sociale, një pamje të tijën duke vazhduar terapinë për kaviljen e dëmtuar. Pol Pogba u mendua se nuk do të mund të ishte gati për Mançester Junajtidin deri në janar, por lajme nga “Old Trafordi” janë që ylli i Francës mund të kthehet në fushë për 10 ditë. Një lajm shumë i mirë për tifozët, por me kusht që kampioni i botës të jetë i përkushtuar në maksimum për fanelën, dhe shokët e skuadrës, diçka që nuk mund të thuhet me siguri. Flitet shumë për një largim të tij tek Reali i Madridit, për pëlqimin që ka për të, Zinedin Zidan, madje thuhet se trajneri i Junajtidit, Ole Gunar Solskjer, është mërzitur kaq shumë me Pogbanë saqë tani është gati “t’i japë duart”. Sidoqoftë, rikthimi i mesfushorit do të ishte një ndihmë e madhe për “djajtë e kuq” sepse në dhjetor nis një periudhë shumë e ngarkuar me ndeshje, dhe duhen sa më shumë lojtarë, përveçse duhet klasi dhe përvoja e tij.

Sfidanti.al