Inter, mund të të ndihmojnë planet e Valverdes për rotacion!

Nëse edhe “magjistari me numrin 10” do të zgjidhet për të bërë pushim, atëherë detyra do të jetë më e lehtë. Lionel Mesi mund ta nisë nga stoli duelin e Championsit të Barcelonës në “San Siro” ndaj Interit, ndërsa edhe mjaft yje katalanas mund të kursehen. Barça është e kualifikuar për në turin e dytë, ndërsa konkurrenca në La Liga është tepër e fortë, me duelin e madh në “El Klasiko” që afrohet dhe që është në 18 dhjetor.

Trajneri Valverde mund të lerë pushim Zhordi Albën e Semedon, por ndoshta edhe Pikenë, ndërsa shpresohet që Artur e Ansu Fati të jenë gati fizikisht dhe të luajnë. Në mesfushë, Vidal e Rakitiç cilësohen si më të mundshmit për të qenë që nga minuta e parë në terren. Me gjasë, edhe treshja MSG nuk do të jetë e plotë, pasi Valverde mund të lerë në stol Mesin, por ndoshta edhe Grizmanin. Argjentinasi është shprehur më parë se më mirë preferon të mos jetë titullar, e të hyjë më vonë në fushë, sesa që të zëvendësohet në ndeshje e sipër.

Sfidanti.al