Një perlë e Marek Hamshikut shpëtoi Napolin nga humbja në Stamboll, në përballjen numër 4 të Ligës së Kampionëve. E majta e sllovakut nga 16 metra larg mposhti portierin e Beshiktashit, Fabri, 8 minuta para fundit dhe skuadra italiane mbeti në vendin e parë në grupin B. Vetëm 4 minuta më herët, skuadra turke kishte kaluar në epërsi me penalltinë e Kuarezmës, fituar pas një prekjeje me dorë të mbrojtësit Maksimoviç.
Elseid Hysaj ishte në fushë për ekipin e trajnerit Sarri, e dyta ndeshje radhazi që i jepet besimi dhe që ai e shpërblen. Mbrojtësi i kombëtares luajti mirë në një stadium të nxehtë, ku publiku prej dhjetëra mijë tifozësh e mbështeti në mënyrë shurdhuese skuadrën e vet. Shkodrani jo vetëm që mbajti fort krahun e djathtë të mbrojtjes, por disa herë depërtoi drejt sulmit dhe krosoi për shokët.
Me këtë barazim, Napoli vazhdon të jetë favorit për t’u kualifikuar për në fazën e dytë të Ligës së Kampionëve, dhe ky rezultat erdhi në kohën e duhur për t’i dhënë moral pas disfatës në Torino me Juventusin në Serinë A.
B. Kuka