Ai vetë as nuk ka ëndërruar për një talent sa ai i Mesit, veçse kur vinte puna për udhëheqje, dinte ta bënte si pak të tjerë. Daniel Pasarela, ish-kapiten dhe ish-trajner i Argjentinës, kërkoi as më pak e as më shumë, sesa t’i hiqej shiriti i kapitenit Lionel Mesit. Nga lojtarët e sotëm të Argjentinës, Pasarela shikon Ramiro Funes Morin si më të përshtatshmin për të qenë kapiteni.
“Jam tifoz pa kushte i Mesit, – theksoi ai për gazetën “El Merkurio” të Kilit, – por, për mua nuk është e njëjta gjë të jesh një talent i madh dhe të jesh udhëheqës i grupit. Nuk di nëse është e drejtë kjo që them, por kështu e mendoj”. i vlerësuar si qendërmbrojtësi i dytë më i mirë në historinë e kombëtares argjentinase, Pasarela vazhdoi duke sqaruar se “personaliteti i tërhequr dhe disi i druajtur i Mesit e vështirësojnë punën si kapiten”. “Duke e hequr si kapiten, i heq një barrë nga kurrizi”, – përfundon Danieli.
Kjo të kujton pak fjalët e Diego Armando Maradonës i cili u shpreh se “lereni të qetë Mesin, pasi ai nuk dëshiron të jetë një lider”. Diego ishte ndoshta shembulli më tipik kur në një futbollist bashkohet talenti i pamasë dhe karakteri jashtëzakonisht i fortë.
Pasarela ishte lideri i Argjentinës së fortë të vitit 1978 që u shpall kampione e botës në Buenos Aires.
B. Kuka