Zinedin Zidan është vërtet prej “racës së perfeksionistëve”. Edhe pse trajner ende fillestar (por, me një Champions në “xhep”), francezi i Realit kërkon maksimumin nga yjet e tij. Përpara ndeshjes ndaj Legias së Varshavës në Ligën e Kampionëve, ai analizoi atë që e quan problemin më të madh të “merengesve”. “Çdo ndeshje na shënojnë gol dhe gjithnjë kjo më shqetëson, – u shpreh trajneri, që nga Polonia, – duhet të përmirësohemi, por jo vetëm në një repart, por kudo. Gjithsesi, nuk mund të luash gjithnjë mirë”.
Legia-Real do të jetë pa tifozë për shkak të dënimit të UEFA-s dhënë klubit polak për shkak të dhunës së shkaktuar në Madrid nga një pjesë e mbështetësve të tij. “Një ndjenjë e veçantë, – thotë Zizu, – kujtoj kur luajtëm në Romë pa tifozë, diçka që nuk e kisha provuar, por edhe pse do të jetë ndeshje e ndryshme, lojtarët e mi janë profesionistë dhe e dinë se çfarë duhet të bëjnë”. Reali është në krye të grupit të Championsit bashkë me Dortmundin dhe mund të kualifikohet dy takime përpara fundit.
B. Kuka