Çfarë mëkati ka bërë PSG-ja? Pas Nejmarit, edhe Kavani

Jo më kot thuhet që për “rioshët”, Championsi është thuajse një “mollë e ndaluar”. Klube kaq të pasur e të fuqishëm si Paris SG apo Mançester Siti mbeten jashtë “dyerve” të saj, duke mos mundur të arrijnë asnjë finale, ndërsa PSG-ja duket se mund të llogarisë një dështim që tani në shkurt-mars. Kampionia e Francës mori lajmin e keq që priste, mungesën e Edinson Kavanit në duelin në fushën e Mançester Junajtidit.

Tashmë, fatkeqësia është e dyfishtë, pasi trajneri Tomas Tuhel nuk do të ketë as Nejmarin, e dëmtuar që më parë. Nga treshja e frikshme e sulmit mbetet vetëm Kilian Mbape, një supertalent, por vetëm 20 vjeç, dhe për më tepër, pa mbështetjen e dy shokëve të tij të repartit ofensiv. Natyrisht, nuk mund të thuhet se PSG-ja është që tani e eleminuar. Një skuadër e madhe mund të përballojë edhe goditje të tilla (Kavani pritet të kthehet për takimin e dytë), por duhet parë nëse Parisi është vërtet në këtë nivel.

Francezët do të duhet të realizojnë diçka të madhe për t’ia dalë dhe për të bindur, ndërsa shumëkush habitet se përse qindra milionë euro, të shpenzuara deri tani për lojtarë e trajnerë, nuk kanë dhënë rezultat. Në të kaluarën, mrekulli të tilla kanë ndodhur, madje më shumë se kaq. Mjafton të kujtojmë Notingem Forestin, që u shpall për herë të parë dhe të vetme kampion i Anglisë në 1978, por fitoi dy Kupa të Kampionëve radhazi në 1979 e 1980, nën drejtimin e trajnerit të madh Brajan Kllaf.

Sfidanti.al