Bajerni i Mynihut nuk do të pranonte kurrë që Tomas Myler të shkonte tek Mançester Junajtid, dhe kjo në radhë të parë nga frika prej tifozëve. Njëri nga zyrtarët e klubit gjerman, anëtari i bordit mbikqyrës Edmund Shtoiber deklaroi për gazetën “Bild” se as nuk bëhej fjalë që sulmuesi kampion i botës të shkonte në “Old Traford”. “Nuk mund të ndodhë që një lojtar si Tomas Myler të shkojë tek Mançester Junajtid, – tha Shtoiber, – tifozët janë të pakënaqur që kur u largua Shvajnshtajger dhe nuk do të na e falnin kurrë nëse kjo ndodh edhe me Mylerin”.
Shtoiber justifikoi ikjen e Shvajnit duke thënë se “ai ishte 32 vjeç dhe donte një përvojë të re, por me Mylerin gjërat janë ndryshe”. Zyrtari bavarez theksoi se “Tomasi është e kundërta e tipave si Kristiano Ronaldo, pasi ai është në ADN-në e Bajernit”. Ka lajme sipas të cilave Murinjo do të donte ta merrte sulmuesin bavarez, ndërsa më parë Junajtid ia pati dalë me Shvajnshtajgerin.