Me kthimin e Maganit në stolin e Teutës, u duk se gjithçka do të shkonte në normalitet, tek skuadra që vuante mungesën e pikëve, por tashmë situata është agravuar sërish. Durrasakët kanë humbur dy ndeshje, por në shtëpi dhe mbi të gjitha me përmbysje, gjë që sigurisht e ka kompromentuar ndjeshëm ecurinë e “djemve të detit”, në përpjekjet për t’iu larguar zonës së ftohtë. Në ndeshjen kundër Kukësit, Teuta ka dominuar për rreth 60 minuta, më pas ka lëshuar shumë terren dhe ka pësuar dy herë, duke mos marrë qoftë edhe një pikë që do t’i vlente shumë. Për t’u theksuar është, se 30 minutat e mbetura, pas avantazhit të arritur, nuk kishin asgjë të përbashkët me treçerekun e kohës së rregullt, kur durrsakët luajtën futbollin e tyre.
Më pas e kishin të vështirë edhe të kalonin mesin e fushës, pra dy pamje krejtësisht të kundërta, brenda një ndeshje të vetme. Magani tha pas përballjes me Kukësin, se një ndeshje fitohet, vetëm nëse e luan të gjithën, pothuajse me të njëjtin ritëm. Por 1-2 edhe me Flamurtarin. Sërish durrsakët në avantazh, por që nga minuta e 70’, vetëm gafa kudo në fushë dhe në fund një disfatë identike. Kësaj skuadre i mungojnë disa minuta shumë të rëndësishme, prandaj dhe ndryshon kaq shumë nga e njëjta, që një vit më parë ka zhvilluar një edicion të suksesshëm.