Është kthyer “dhelpra e vjetër”. Largimi i Niko Kovaçit nga Bajerni ka ndihmuar më shumë se këdo tjetër Tomas Mylerin, dhe lojtari ofensiv po “lulëzon” nën drejtimin e Hansi Flikut. Statistikat nuk e ndihmojnë 100 për qind, pasi ai nuk ka shënuar gol për 1 326 minuta, por kontributi i tij për skuadrën është kolosal. Myleri ishte i përfshirë në të 4 golat e realizuar nga bavarezët në Dyseldorf, edhe pse autorë ishin Pavar, Toliso, Gnabri dhe Kutinjo.
Kjo në kontrast të plotë me atë që ndodhi në humbjen 1-5 në fushën e Frankfurtit, ku Myleri fitoi vetëm 21 për qind të dyluftimeve, nuk pati asnjë gjuajtje në portë dhe u zëvendësua në 64’, edhe pse luante ndeshjen e 500-të jubilare për kampionët. “Tomasi është siç ka qenë më parë, – ishte lavdërimi i Levandovskit, – ai bën gjithçka dhe nuk ngurron kurrë të ndihmojë skuadrën. Vërtet e madhe”.
Sfidanti.al