Në futboll duhet të jesh ndonjëherë filozofik, apo duhet të dish të tregohesh largpamës. Asnjë trajner dhe asnjë skuadër në botë nuk mund të jetë e pathyeshme, dhe Pep Guardiola e di se nuk mund të jetë as Mançester Siti i tij. Pas fitores së vuajtur ndaj Çelsit, trajneri katalanas pranoi se dështimi është pjesë e jetës. “Presioni i vetëm mbi ne është që mund të mos fitojmë Premier Ligën, – tha ai, -nuk do të ishte hera e parë që do të ndodhte në 125 vjet histori të klubit. Diferenca është e rëndësishme, 9 pikë, mund të kishte qenë 12 pikë, por nuk mund të rrimë e të qahemi për këtë”.
Guardiola u tha lojtarëve të tij që edhe yjet e tenisit humbasin ndeshje, apo Tomi Flitvud (Fleetwood) nuk fiton gjithnjë në golf (harroi Tajgër Udsin!), pra edhe në futboll mund të ndodhë të humbasësh. “Nga ne kërkohet që të fitojmë gjithnjë, të marrim gati 200 pikë në sezon, por kjo nuk mund të ndodhë gjithnjë”, – përfundoi Pepi.
Sfidanti.al