Koha mund të të bëjë të harrosh, dhe ndoshta kjo po ndodh me Halila Aliun, ish-gruan e legjendës së boksit, Muhamed Ali. Ajo u ndodh në Las Vegas, ku ndoqi fitoren e Diontej Uajlderit me Luis Ortizin, dhe e lavdëroi shumë boksierin amerikan pas nokautit të raundit të shtatë. Halila shkoi dhe e takoi kampionin e peshave të rënda, e përqafoi dhe i tha: “Ti je më i miri, më i madhi i të gjitha kohëve”. Një deklarim i guximshëm, ndërsa historia e peshave të rënda në boks njeh Muhamed Aliun, Xhorxh Foremanin, Xho Frejzerin, Majk Tajsonin, Evander Holifildin, Lenoks Ljuisin apo Vitali e Vladimir Kliçkon.
Uajlder nuk ngurroi ta quante veten si “boksieri me grushtin më të rëndë në histori” (a do të binin dakord Foremani dhe Tajsoni?). Gjithsesi, ai duhet të provojë veten me ndeshjen e dytë ndaj Tajson Fjurit, të paktën për t’u cilësuar si më i miri i kohës që po jetojmë.
Sfidanti.al