Presidenti Hënes sheh nga dritarja Bajernin e tij “të varfër”

Pak ditë pasi trajneri Niko Kovaç shpërtheu ndaj klubeve-shtete që dëmtojnë kampionen e Gjermanisë, ishte radha e presidentit Uli Hënes të dilte në dritaren e zyrës së tij dhe të ndiqte me vështrim jo shumë entuziast ditën e parë të punës për sezonin e ri. Bajerni, nën drejtimin e Kovaçit, nisi përgatitjet në fushën e kompleksit të tij, duke mos qenë i plotë, por Hënesin nuk e shqetësojnë yjet që nuk kanë ardhur ende, veçse ata që ndoshta nuk mund të vijnë.

Leroi Sane nga Siti, Dembele nga Barcelona (si alternativë?), Hadson-Odoi, Timo Verner janë të dëshiruar, por të vështirë për t’u marrë. Më të mundshëm janë Janik Karrasko, Hakim Zijeç, Dani Olmo (Dinamo Zagreb) apo Lion Bejli (Leverkusen).

Gjithsesi, Hënesi pati një kënaqësi duke parë stërvitjen e bavarezëve, pasi trajneri Kovaç e kishte ndërtuar fushën në mënyrë të tillë, që të vinte duke u ngushtuar sa më shumë lojtarët i afroheshin portës. “Më shumë ritëm, më shumë shpejtësi”, – ishin fjalët e kroatit, ndërsa për lojtarët pati më shumë dyluftime, sepse hapësira zvogëlohej. Pritet ende të vijnë lojtarët e ekipeve kombëtare, ndërsa Lukas Hernandez vazhdon stërvitjen individuale për shkak të dëmtimit në gju.

Sfidanti.al