Për Fabricio Ravanelin, “Zonja e Vjetër” do të jetë e frikshme me ardhjen e Matijs De Ligtit. Nuk dihet nëse do të krijohet Juventusi më i fortë i të gjitha kohëve, por mund të jetë më i miri i 8 viteve të fundit, me serinë e hapur ende të titujve kampionë. Kapiteni i Ajaksit do të “betononte” edhe më shumë një mbrojtje që cilësohej si tepër e fortë. “Cilësia e Juves është rritur vit pas viti, – shprehet Ravaneli, – nëse vjen De Ligti, do të ishte e përsosur. Unë do të kisha mbajtur edhe Higuainin, që mund të vlejë në një sezon me shumë ngarkesë”.
Alesio Takinardi, ish-lojtar tjetër i Juves, ka mendim special për Miralem Pjaniçin, boshnjakun e mesfushës që, sipas tij, do të ketë rol vendimtar në skemat e trajnerit Mauricio Sarri. “Të gjithë flasin për Kristianon, por lojtari më i rëndësishëm për Sarrin do të jetë Pjaniç, – theksoi Takinardi, – ashtu si Zhorzhinjo tek Napoli e Çelsi, ku duhet të organizojë, por edhe të bëjë presion. Nëse ia del, do të ishte çelësi i lojës”.
Sa për Ronaldon, Sarri po mendon ta kthejë në rolin e tij të vjetër e të preferuar, në krahun e majtë. Ashtu luajti tek Mançester Junajtidi, ashtu edhe shumicën e viteve tek Reali, duke shënuar mjaft gola, ndonëse mosha tani është tjetër.
Gjithsesi, Juvja e Sarrit ka yje të shumtë, sidomos në mesfushë. Le t’i numërojmë: Betankur, Emre Xhan, Pjaniç, Kedira, Matyidi, Rabio, Ramsej, ndoshta ndonjëherë edhe Bernardeski. Një luks që do t’i shkaktojë trajnerit dhimbje koke.
Sfidanti.al