Tare nuk dorëzohet për Milinkoviç-Saviçin, kërkon 100 milionë!

Në verën e 2017-ës u refuzua një ofertë prej 70 milionë eurosh, ndërsa tani edhe 80 milionë nuk mjaftojnë. Lacio dëshiron ta shfrytëzojë deri në fund kartonin e një lojtari shumë të kërkuar si Sergej Milinkoviç-Saviç, i cili ndodhet në “radarët” e Mançester Junajtidit. Trajneri Ole Gunar Solskjer vazhdon përpjekjet për forcimin e skuadrës, ndërsa në Romë, Igli Tare, drejtori sportiv i kryeqytetasve të Italisë, bën llogaritë e tij.

Junajtidi ofroi pikërisht 80 milionë këto ditë, siç njoftojnë gazetat, por kjo nuk u pranua. Lacio fillimisht dëshironte deri në 130-140 milionë euro për sulmuesin serb, por pretendimet u ulën gradualisht, pasi ai nuk shkëlqeu sezonin e kaluar aq sa në 2017-2018. U fol për 110 milionë euro, ndërsa tani mund të mjaftojnë 100 milionë. Gjithsesi, një biznes shumë i mirë për presidentin Lotito, klubi i të cilit ka nevojë për financa, që të konkurrojë për një vend në Champions sezonin e ardhshëm.

Sfidanti.al