Nëse ndonjë ligë dhe klubet e saj e respektojnë seriozisht ndonjë rregull fair play në futboll, kjo gjë ndodh, definitivisht, në Gjermani. Ndoshta, në tregun e transferimeve gjermanët nuk janë edhe aq të fuqishëm si klubet e tjerë të mëdhenj, sidomos, ata klube, më krye të të cilëve kanë ardhur pasanikët ose sheikët arabë, por ama, kur është fjala për të ruajtur klubet si prona edhe të tifozëve, ata janë klubet gjermanë. Arsyeja është rregulli 50+1 që konsiderohet si bastioni i rregullit komercial fair play.
Me shumicë votash, në të dy Bundesligat gjermane, u vendos që të ruhet ky sistem unik, të cilin e mbështesin të gjithë në Gjermani, madje edhe tifozët. Ideja, në fakt, është e klubit Sent Paul që të “betonohet” pozita e këtij rregulli, pas një serë përpjekjesh për ta ndryshuar atë.
Çfarë do të thotë rregulli 50+1? Këtë rregull e aplikojnë prej kohësh gjermanët dhe, në bazë të tij, një klub futbolli duhet të zotërojë 50 për qind të pronësisë së tij plus 1 (një) për qind të aksioneve, me qëllim që të pengohen sponsorët e fuqishëm që të blejnë paketën më të madhe të aksioneve. Sponsorëve, kështu, u mbesin 49 për qind. Në Gjermani, pronësia private e një klubi futbolli ka qenë e ndaluar, ndërsa, më 1998, kur edhe nisi ristrukturimi i plotë i futbollit gjerman që solli edhe titullin e kampionit botëror dhe zhvillimin e futbollit gjerman, filloi të zbatohej rregulli 50+1. Ideja në fjalë synonte që të pakësoheshin borxhet dhe shpenzimet, por më e rëndësishmja ishte që liga ta ruante karakterin e saj interesant dhe tifozët të gëzonin çmime të arsyeshme.
Sfidanti.al