Në shtëpinë bardhezi pritet një verë e nxehtë në merkato. Douglas Luiz është gati t’i japë lamtumirën Juventusit pas vetëm një sezoni. Mesfushori brazilian ka pranuar ofertën e Nottingham Forest, me një kontratë deri në vitin 2030, ndërsa “Zonja e Vjetër” do të arkëtojë rreth 30 milionë euro nga kjo lëvizje.
Në të njëjtën kohë, drejtuesit e Juventusit po kërkojnë alternativa për të përforcuar skuadrën e Igor Tudor-it. Sipas medieve italiane, emri më i fundit në listë është ai i Edon Zhegrovës. Fantazisti i Kosovës, aktualisht pjesë e Lille dhe me kontratë deri në vitin 2026, është prej ditësh nën presionin e Marsejës së Roberto De Zerbit. Megjithatë, Juventusi po përgatitet të futet fuqishëm në garë, duke tentuar ta përfitojë situatën në minutat e fundit.
Një tjetër lëvizje që mund të ndikojë është ajo e Nico Gonzalez. Sulmuesi argjentinas, i aktivizuar nga Tudor në miqësoren ndaj Atalantës, pëlqehet nga Atletico Madrid, që madje mund të ofrojë si shkëmbim anësorin Nahuel Molina. Ndërkohë, pas shitjes së Douglas Luiz, Juventus synon të përqendrohet te transferimi i Randal Kolo Muani. Sulmuesi francez prej kohësh pret bardhezinjtë dhe PSG është gati ta lërë të lirë për një shifër mes 55-60 milionë eurosh. Për sulmuesin parashikohet një kontratë me pagë rreth 7 milionë euro në sezon.
Në mesfushë, një tjetër objektiv është Matt O’Riley i Brighton-it, i cili ka nisur sezonin me gol. Klubi anglez nuk është i prirur ta mbajë me çdo kusht dhe me një ofertë afër 30 milionë eurove, lojtari danez mund të transferohet në Torino. Pra, Juventusi është gati të sakrifikojë Douglas Luiz për të hapur dyert e merkatos, me emra si Zhegrova, Kolo Muani dhe O’Riley që mund të ndryshojnë fytyrën e skuadrës së Tudor-it.
sfidanti.al