Obamejang, përse nuk ke më asnjë ëndërr për të parë?!

Gjatë verës, Pjer-Emerik Obamejang ishte një nga ata lojtarë të ligave europiane që bënë kërkesë transferimi në klubet e tyre. Obamejang i kërkoi Dortmundit që ta lejonte të shkonte tek Reali i Madridit, ose tek Milani, apo ndoshta tek Çelsi, pikërisht skuadrat që e deshën. Borusia nuk pranoi dhe sulmuesi 28-vjeçar u detyrua të respektonte kontratën dhe të vazhdonte karrierën në “Signal Iduna Park”. “Unë nuk kam më ëndrra, – tha ai, në formë pakënaqësie për “RMC Sport”, – nuk do të flas më për Realin. Jam i lumtur tek Dortmundi, dhe besoj se klubet e tjerë nuk kishin aq dëshirë sa të bënin sakrifica për të më marrë”.

“Duket se disa më nënvleftësojnë, por unë do ta tregoj vlerën time, – vazhdoi “Oba”, – jam i zhgënjyer sepse vjet më thanë që këtë verë mund të largohesha, por nuk ndodhi”. Gjithsesi, Obamejang po vazhdon me seriozitet, siç edhe premtoi. Ai ka shënuar 5 gola në 5 ndeshje të Bundesligës deri tani me Dortmundin në krye, ka 9 gola në 8 ndeshje këtë sezon, ndërsa në 197 ndeshje për Borusian ka shënuar 129 gola dhe ka shërbyer 33 asistë.

Sfidanti.al