Nojer apo Ter Shtegen, trajneri i Gjermanisë shkon në “Bernabeu”

Një luks i tillë është edhe problem që mund të dalë nga kontrolli. Manuel Nojer apo Mark Andre Ter Shtegen, cilin prej tyre duhet të zgjedhë Joakim Lëvi si titullar në portën e Gjermanisë? Edhe pse trajneri ka thënë troç se “deri në 2020, nëse nuk ndodh ndonjë gjë e jashtëzakonshme, Nojer do të jetë titullar”, ngjarjet në fushë mund ta ndryshojnë këtë mendim.

Këtë të shtunë, Lëvi do të jetë në “Santiago Bernabeu” për të ndjekur Ter Shtegenin në ndeshjen e kampionatit spanjoll, Real-Barcelona. Ndoshta, do të kishte bërë mirë të kishte qenë në kryeqytet të mërkurën, kur Ter Shtegeni ishte i jashtëzakonshëm, lojtari më i mirë i ndeshjes së Kupës fituar 3-0 nga katalanasit.

Vetë Ter Shtegeni është shprehur për “Bildin” se “dua që ta ndryshoj hierarkinë te kombëtarja dhe ta bind Lëvin se unë jam numri 1”. Pra, ai “ka shpallur luftë”. Paraqitjet sezonale deri tani, i japin të drejtë. Në kampionat, ai ka pritur 73 për qind të topave ndaj 57 për qind të Nojerit, ka 10 ndeshje pa pësuar gol ndaj 7 të rivalit, ka pritur 38 për qind të rasteve të pastër ndaj 27 të numrit 1 të Bajernit. Në Champions, ata janë thuajse njëlloj, me Nojerin pak më mirë.

Sfidanti.al