“Teatri i Ëndrrave” në Dortmund e ka humbur një nga “aktorët” kryesorë. Klas-Jan Huntelar është tronditja e madhe e Shalkes, me holandezin që mbeti jashtë derbit të Rurit për shkak dëmtimi. Në moshën 33-vjeçare, sulmuesin nuk e mbajti gjuri i djathtë dhe do të mungojë, jo vetëm në “Signal Iduna Park” në orën 18:30, por për plot 6 javë. Një mëkat!
Trajneri Vajncirl mund të quhet një fatkeq i vërtetë, pasi për të nuk mjaftoi mungesa po për shkak të dëmtimit, e talentit sulmues të ardhur nga Bazeli, Brel Embolo. Dyzetenjëvjeçari do të duhet të gjejë një zgjidhje në përballjen më të ndjeshme të tifozëve, aq më tepër në fushë kundërshtare, përballë presionit të tmerrshëm të një turme “armike” prej 80 000 spektatorësh. Trajnerit i mbetet si alternativë vetëm 27-vjeçari Franko Di Santo.
Shalke, pavarësisht dëmtimeve, do të përpiqet të jetë një faktor në këtë sezon të Bundesligës dhe të vazhdojë në Dortmund serinë e 6 ndeshjeve pa humbje. Gjithsesi, renditja nuk flet mirë për “Blutë Mbretërorë” të cilët janë fare pranë zonës së rrezikshme që të zbret në kategorinë e dytë.
B. Kuka