Ka magjistarë në fushë, por edhe jashtë saj. Përveç basketbollistit që shënon koshat apo ndihmon ekipin të fitojë, është edhe dikush që vuan më shumë në stolin e drejtimit. Zheljko Obradoviç është nga ata që ka provuar për një kohë të gjatë trysninë e stresit të trajningut, por ka ditur të triumfojë ndaj saj dhe ndaj kundërshtarëve.
Trajneri serb mund të vazhdojë të quhet më i miri në rolin e tij në Europë dhe vetëm paragjykimet e mykura në SHBA bëjnë që ai të mos marrë një skuadër të NBA-së. Gjithsesi, për momentin ka në dorë një superekip të radhës, Fenerbahçen e Stambollit. Në vetëm tre sezone ai e ktheu skuadrën e mirë, por jo të madhe turke, në një superfuqi kontinentale, duke dalë vjet nënkampion i Europës.
Këtë edicion e ka nisur shkëlqyeshëm Euroligën, dhe vetëm CSKA e Moskës, kampionia në fuqi, është baraz me të në renditje, me 4 fitore e 0 humbje. Suksesi i fundit u arrit mbrëmë, në derbin turk luajtur në fushën e Gallatasarajit, 103-87, përballë më shumë se 9 mijë tifozë kundërshtarë.
Pasi ka fituar Euroligën (Championsin) me 4 skuadra tyë ndryshme (Partizan Beograd, Hoventud Badalonja, Real Madrid, Panathinaikos), ai do të përpiqet ta fitojë me të pestën. Do të përpiqet ta shtojë legjendën e tij në çdo mënyrë. Deri tani, Obradoviç ka fituar 8 Euroliga (plus 7 arritje në finale) dhe 2 Kupa Saporta, ka fituar 14 kampionate të ndryshëm në Greqi, Turqi e ish-Jugosllavi, 9 kupa kombëtare, 3 Superkupa kombëtare. Si trajner i ish-Jugoallavisë fitoi kampionatin botëror dhe europian si dhe medaljen e argjendit olimpike, ndërsa ka arritur suksese të mëdha edhe si lojtar.
B. Kuka