Besohet se shpejt do të vijë koha që Barcelona do të duhet të zgjedhë. Lionel Mesi apo Nejmar? Nuk bëhet fjalë që njëri prej tyre të largohet nga “Kamp Nou”, pasi kanë rinovuar ose janë në prag të firmosjes së kontratave të reja, veçse ndryshimi i madh do të vijë gjithsesi. Nejmar po “troket” fort në derën e madhështisë dhe mediat sjellin statistika që tregojnë se braziliani mund ta meritojë që tani Topin e Artë.
Në 100 ndeshjet e fundit ai ka shënuar 59 gola dhe ka shërbyer 30 asistë, duke qenë më lart se Mesi pikërisht gjatë kësaj periudhe. Jo vetëm kaq, por braziliani ishte me rendiment më të lartë sesa argjentinasi, nëse krahasohen 100 ndeshjet e tyre të para me fanelën “blaugrana”. Natyrisht, Mesi debutoi në moshë më të re, ndaj edhe në 100 takimet e para pati “vetëm” 48 gola dhe 26 asistë.
Veçse, pati edhe një arsye tjetër që Mesi shpërtheu më vonë, prania tek Barça e Rolandinjos, që ishte ylli më i madh i ekipit. U desh ikja e brazilianit që Leo të bëhej i jashtëzakonshëm. Këtë po vuan tani Nejmar. Kur Mesi është në ekip, numri 11 shënon pak më shumë se 1 gol në dy ndeshje, kur Lionel është i dëmtuar apo mungon, “Ney” arrin në 1 gol për ndeshje, dhe po ashtu jep më shumë asiste, krijon më shumë raste goli, gjuan më shumë në portë dhe bën më shumë driblime.
Për momentin, Topi i Artë nuk është për të, por për Ronaldon dhe Mesin, ndërsa këtë vit ka hyrë në garë edhe Grizman. Ndoshta, padrejtësia ndaj Nejmarit mund të ndreqet që vitin e ardhshëm.
B. Kuka