Gazeta gjermane “Bunte” i ka gëzuar, ditët e fundit, adhuruesit dhe tifozët e Mihael Shumaherit, duke pretenduar se piloti legjendar i Formulës 1 është ngritur përsëri në këmbë. Kjo gazetë e mbështet pretendimin e saj te disa birime pranë Shumaherit. “Ai ka arritur që të bëjë disa hapa, ndërsa mund të lëvizë edhe njerën dorë”, thonë këta burime. Sidoqoftë, menaxherja e Shumaherit, Sabine Kem, nuk e pohon pretendimin e lartpërmendur.
“Për fat të keq, ky lajm nuk është i saktë. Mihaeli ende nuk mund të lëvizë. Informacione të tillë janë të papërgjegjshëm, duke qenë se ato u japin shpresa të rreme si të afërmeve të tij, ashtu edhe adhuruesve të tij”. Megjithatë, opinioni publik konsideron se menaxherja e Shumaherit nuk thotë të vërtetën dhe se ajo fsheh detaje lidhur me gjendjen shëndetësore të tij. Gazeta “Bunte”, nga ana e vet, nuk heq dorë nga pretendimi, duke theksuar se burimet e saj janë të besuar.