Pol Pogba dhe disa yje të tjerë nuk do të kenë mbetur të kënaqur, por rrugë tjetër nuk kishin. Ata ndodheshin në hotelin “Louri” në qendër të Mançesterit, duke pritur ardhjen e pjesës tjetër të skuadrës, kur një urdhër i papritur erdhi nga Zhoze Murinjo. Trajneri kërkonte që Pogba&Co të bashkoheshin me ekipin në “Old Traford” dhe më pas … së bashku të ktheheshin në hotelin “Louri”.
Mediat britanike pyetën të habitur se çfarë do ndodhte, dhe përgjigja duket se ishte “supersticion”, apo shqip “bestytni”. Murinjo, qartësisht, nuk u ka shpëtuar këtyre frikërave aspak logjike të periudhës së tij të formimit, kur ishte adoleshent. Pavarësisht se sot është tepër i pjekur, me shumë përvojë jete për ta ditur sesa vlerë kanë realisht bestytnitë, mentaliteti i tij i kaluar e detyron të veprojë verbërisht.
Kjo, për të keqen e lojtarëve të tij, që përfshijnë disa yje të përmasave botërore si Uejn Runi, Zllatan Ibrahimoviç apo Pol Pogba. Si rregull, Junajtid grumbullohet në hotelin me 5 yje “Louri”, për ndeshje që luan në fushën e tij. Lojtarët e tjerë, që jetojnë rrotull qytetit, parkojnë makinat në “Old Traford” dhe pastaj bashkohen me të tjerët në hotel, duke udhëtuar rreth 3 kilometra. Më përpara, Zhoze nuk e kishte problem, por tani kushedi se çfarë ëndrre ka parë dhe ka ndryshuar mendim.
B. Kuka