Levandovski ngre zërin dhe ankohet: “Edhe unë jam njeri!”

Robert Levandovski është, pa asnjë dyshim, fubollisti që ka minutazhin më të madh te Bajerni i Mynihut, kështu që pa të nuk mund të imagjinohet formacioni i parë i ekipit bavarez. Por, tani, ky sulmues polak e ngriti zërin, për herë të parë, sepse atë nuk ka se kush ta zëvendësojë, ndërsa ai pësoi, tre ditë më parë, një dëmtim në ndeshjen e fundit të Bundesligës. Në fakt, Levandovski u zëvendësua në ndeshjen e fundit me Lajpcigun, për shkak të një problemi muskulor, kurse, tani, u konfirma edhe zyrtarisht se ai nuk do të luajë dot në ndeshjen me Selltikun, në fushën e këtij të fundit, në Ligën e Kampioneve. Kështu, Bajernit i duhet që të shënojë gola pa golashënuesin e vet më të mirë, ndërkohë që sulmuesi polak ankohet lidhur me presionin, përballë të cilit ai ndodhet vazhdimisht.

“Për momentin, nuk ka ndonjë opsion tjetër për pozicionin tim, nuk ka asnjë zëvendësim të sigurt për pozicionin e sulmuesit. Edhe unë jam njeri, dua që të pushoj, ndonjëherë. Kohët e fundit, unë kam luajtur me Bajernin dhe përfaqësuesen time çdo tri ditë. Asnjë lojtar nuk mund të luajë 90 minuta në të gjitha ndeshjet e sezonit. Ky vit është, me të vërtetë, shumë i vështirë për mua në planin fizik”, i tha Levandovski gazetës “Bild”.

Sfidanti.al