Megjithëse, ne jetojmë në një kohë, kur kanë ndryshuar kufijtë sa u përket parave që shpenzohen për lojtarët, ende ka klube që i vlerësojnë dhe i kultivojnë “produktet” e veta.
Midis klubeve të rralla që ndjekin një politikë të shkëlqyer ndaj akademive të veta të futbollit, pra, të shkollave, ku marrin mësime futbolli fëmijë të moshave të ndryshme, eshtë Mançester Junajtidi, pasi një e dhënë statistikore që është publikuar në uebsajtin e këtij klubi, meriton, me të vërtetë, një respekt të madh. Në çdo ndeshje, gjatë 80 viteve të fundit, Junajtidi përfshin në ekip, të paktën, një futbollist të akademisë së vet të futbollit.
Javën e fundit, “djajtë e kuq” mundën 1-0 Totenhemin dhe nga akademia e Junajtidit, në listën prej 18 lojtarësh të thirrur nga Murinjo, ishin Markus Rashford, Xhesi Lingard dhe Skot Mektominaj.
Mund të duket e pabesueshme, por, për herë të fundit, kur Junajtidi nuk ka patur ndonjë “fëmijë” të vet në ekipin e parë (kihet parasysh i gjithë ekipi bashkë me rezervat në stol), ka qenë ndeshja me Shefild Uensdejin që është zhvilluar më 23 tetor 1937! Që nga ajo kohë, Mançester Junajtidi ka fituar një reputacion për zhvillimin e futbollistëve të rinj dhe, midis tyre, më i shquari dhe më i njohuri është brezi, të cilit i përkasin Rajan Gigsi, Pol Skolsi, Dejvid Bekami, Niki Bat dhe vëllezërit Gari e Fill Nevil.
Sfidanti.al