Duan të shkojnë në Kupën e Botën të Rusisë, por nuk kanë para!

Përfaqësuesja e Hondurasit ka probleme financiare serioze që të ndërmarrë udhëtimin deri në Sidnei, ku duhet që të luajë ndeshjen play off me Australinë, për t’u kualifikuar për në Kupën e Botës Rusi 2018. Ndeshja e parë mes Hondurasit dhe Australisë do të zhvillohet, më 10 nëntor, në San Pedro, ndërsa ndeshja revansh, pesë ditë më vonë, në Sidnei. Federata e futbollit të këtij vendi amerikanoqendror nuk ka para të mjaftueshme për të blerë një fluturim çarter për përfaqësuesen e vet që të fluturojë direkt për në Sidnei, kështu që duhet të gjejë ndonjë mënyrë tjetër për të shkuar në atë vend.

Ne dallim nga Hondurasi, ekipi i “kengurëve”, menjëherë mbas ndeshjes së parë, do të fluturojë për në Australi me çarter, me qëllim që të ketë më shumë kohë për të pushuar para ndeshjes së kthimit. Kështu, futbollistët e Hondurasit i pret një udhëtim që mund të zgjasë edhe 48 orë! Duke pasur parasysh se Australia është favorite në këtë ndeshje play off, detyra e Hondurasit për kualifikim në Kupën e Botës bëhet edhe më e vështirë. Por, sidoqoftë, Hondurasi pasi arriti t’ua marrë “biletën” e play off-it amerikanëve, përse të mos ua marrin atë edhe australianëve?

Sfidanti.al