Ata që (nuk) kanë paratë dhe që drejtojnë futbollin!

Në futbollin shqiptar, ashtu si në çdo futboll tjetër, presidentët janë njerëzit kryesorë. Natyrisht, që ata nuk bëjnë dot gola, nuk presin dot penallti, nuk stërvisin dot skemën 4-3-3, apo nuk ngjirren nëpër stadiume, por janë ata që i bëjnë bashkë të gjithë këta “elementë”.

Gjithsesi, për fat të keq, jo gjithnjë “tenxherja” e gjen “kapakun” dhe shpesh ai që quhet investim, dështon. Ose vonohen rrogat, ose “nuk bën” trajneri, ose përplasen me Federatën (për faj të disa presidentëve të tjerë që e kanë mirë me të)!.

Presidenti merr vendimet, por jo gjithnjë janë të drejta. Kështu, tifozët nuk arrijnë të kuptojnë se përse Sinan Idrizi i Flamurtarit duhej të priste nja dy vjet përpara sesa të krijonte një skuadër. Paratë gjithnjë kanë qenë aty, por kaosi ka qenë i plotë, ndërsa tani ka gjetur “elementin trajner”, Duron, dhe “elementin korrektesë”, dhe një Flamurtari madje më modest financiarisht dhe cilësisht se vjet, është pretendent për nënkampion.

Tifozët e Tiranës po ashtu, nuk e kuptojnë se përse presidenti i tyre, Refik Halili, duhej “të zbriste” ekipin në kategorinë e dytë përpara sesa të kishte një skuadër që fiton kudo dhe luan futboll të mirë. Përse largoi Dajën, edhe pse solli një emër si Josën? Të tillë shembuj ka shumë, por ka një shembull që vjen nga Italia, edhe pse fqinjët tanë po ashtu kanë nga këta presidentë.

Në një sondazh në mediat italiane, Igli Tare doli drejtori sportiv më i mirë në Itali duke lënë pas Marotën e Juventusit dhe Mirabelin e Milanit. Në Shqipëri është e pamundur të bësh një sondazh të tillë, pasi drejtori teknik nuk ka thuajse asnjë vlerë. Në fund të fundit, ç’na duhet, na mjaftojnë presidentët.

Sfidanti.al