Kovaç, pas gabimit me Sanenë, ja edhe një gabim me Mylerin!

Sikur të mos mjaftonte fakti se rasti është tepër delikat, ja ku vjen edhe një pakujdesi njerëzore që mund t’i përkeqësojë gjërat. “Nëse do të kemi nevojë, padyshim që ai do t’i ketë minutat e tij”, – ishin fjalët e trajnerit të Bajernit, Niko Kovaç, për Tomas Mylerin, në përfundim të ndeshjes së kaluar të Bundesligës. Kjo nuk u prit mirë nga mediat, as nga presidenti Karl-Hajnc Rumenige, e padyshim as nga Myleri, që u shpreh në vazhdim “asgjë për të thënë, siç shprehen anglezët”.

Kovaç e kuptoi që shkeli në dërrasë të kalbur, dhe reagoi menjëherë. “Ishte një gabim në shprehje nga ana ime, – tha kroati, – një gabim në formulimin e mendimit. Fola që të nesërmen me Tomasin dhe u kuptuam, ai nuk i mori fjalët me kuptimin që u thanë”. Gjithsesi, nuk dihet sesa pakënaqësi mund të ketë mbetur tek ish-ylli i kombëtares gjermane, ndërsa Kovaçi e pati një pakujdesi që gjatë verës kur u shpreh për Leroi Sanenë, lojtarin e Sitit që e donte Bajerni. Sa për Mylerin, ai ka pesë ndeshje radhazi që i nis nga stoli, ndërsa nuk dihet nëse do të luajë titullar ndaj Augsburgut. “Unë nuk mund t’ua them lojtarëve se kush do të luajë, – tha Kovaç, – kam ende dy ditë për t’u menduar”.

Sfidanti.al