Tjetër bën, e tjetër thua. Kështu është një shprehje, por nuk dihet nëse mund të përkufizohet kështu raporti mes Sadio Manesë dhe Mohamed Salahut tek Liverpuli. Dyshja, është thënë se, ndodhet në krizë besimi dhe bashkëpunimi, dhe statistikat flasin për një “ngërç”, ndonëse vetë personazhi kryesor i “telenovelës” ka tjetër version.
Mane, i intervisuar nga “Kanal Plus”, deklaroi se nuk ka asgjë për të sqaruar me Salahun, pasi çdo gjë është zgjidhur tashmë. “Unë u nervozova kur ai nuk më pasoi, – u shpreh Mane, – kur ishim në dhomën e zhveshjes, Vajnaldum, që dëshiron të ngacmojë njerëzit, erdhi tek unë dhe thirri: Përse doje ta goditje Salahun? Të gjithë qeshën, ndërsa unë dhe Mo folëm. Ai më tha se nuk më kishte parë, dhe se nuk kishte asgjë kundër meje”.
Me kaq gjithçka mund të quhet e mbyllur, aq më shumë që Mane thotë se trajneri Klop e thirri në zyrë për t’u sqaruar, dhe sulmuesi deklaroi se ishte gjithçka e sqaruar dhe se ai e Salah ishin sërish shokë. Klopi, sipas tij, u habit dhe u gëzua. Gjithsesi, statistikat flasin se këtë sezon, Salah nuk ka dhënë asnjë asist goli për Manenë, dhe nuk ka dhënë asnjë pasim për rast të pastër!
Sfidanti.al