Mund të kesh shënuar 4 gola në një ndeshje historike, dhe sërish të mos marrësh lavdërime nga fillimi deri në fund. Kështu po ndodh me Serg Gnabrinë, yllin e ri të Bajernit, i cili pati një paralajmërim nga trajneri i tij, Niko Kovaç. “Gnabri luajti shumë mirë ndaj Totenhemit, dhe jo vetëm për golat, – tha kroati, – ai luajti shumë fort në fazën mbrojtëse, por të shohim nëse do të jetë në gjendje të luajë njësoj edhe ndaj Hofenhajmit. Kjo është vështirësia e këtyre situatave, që duhet të përsërisësh veten pas 3 ditësh. Shpresoj që Gnabrisë të mos i rritet mendja, por mendoj se do të dijë ta përballojë situatën me pjekuri”.
Një paralajmërim edhe më i fortë për Tiago Alkantarën, katalanasin e talentuar që e nisi nga stoli ndeshjen e Championsit. Spanjolli hyri në lojë në pjesën e dytë, në vend të Alabës, dhe u paraqit shumë mirë. “Ia kam thënë Tiagos se nuk më kënaqi me lojën që zhvilloi ndaj Paderbornit, – pohoi trajneri, – nuk mund të pranohen paraqitje poshtë standardit. Ndaj Totenhemit, ai luajti shumë mirë, dhe unë jam i bindur se ai do të bëjë kështu edhe në të ardhmen”. Bajerni kryeson Bundesligën, ndonëse me diferencë të vogël, dhe këtë fundjavë luan ndaj Hofenhajmit.
Sfidanti.al