Nuk është se u trondit shumë, por gjithsesi nuk mund të mos kritikonte. Trajneri i Bajernit, Hansi Flik, gjykon se yjet e tij duhet të kthehen ata që ishin, të luajnë mirë për 90 minuta dhe jo vetëm për 45, nëse do të duan të kenë sukses këtë sezon. Fitorja 4-3 ndaj Hofenhajmit në Kupën e Gjermanisë ishte tregues se ndonjëherë vetëkënaqësia të ndëshkon.
“Kjo ndeshje ishte si një alarm zgjimi për ne, – u shpreh Flik, – pjesa e parë nuk ishte e keqe, por kjo nuk mund të thuhet për të dytën. Ne e ulëm ritmin, nuk luajtëm me energjinë dhe shpejtësinë e duhur, nuk bëmë presing siç duhet. Duhet të përgëzoj kundërshtarin që luajti shumë mirë, por gjithsesi ne e realizuam objektivin”.
Bajerni ka disa fitore radhazi në fazën e dytë të sezonit, duke dalë edhe në vendin e parë në kampionat, e kjo mund ta ketë vetëkënaqur pak skuadrën bavareze. Sidoqoftë, kampionët e Gjermanisë mund të luftojnë për çdo trofe këtë sezon, në Bundesligë, në Champions dhe në Kupën e Gjermanisë.
Sfidanti.al