Haland vesh fanelën e Dortmundit, Solskjeri e Lajpcigu komentojnë!

Ai shkoi me makinë në qendrën shëndetësore, bëri vizitat e rastit, ndërsa më pas u takua e bisedoi paksa me trajnerin e tij të ri, Lysien Favre. Erling Haland është gati të fillojë aventurën e re në karrierë, atë me Dortmundin, ndërsa tifozët mezi presin ta shikojnë me fanelën verdhezi në trup, duke shënuar gola për skuadrën e tyre të zemrës në Bundesligë e në Champions. Mançester Junajtidi dhe Lajpcigu mbetën me “gisht në gojë”, dhe trajneri Ole Gunar Solskjer doli huq me vizitën që bëri drejt Austrisë duke e takuar personalisht sulmuesin 19-vjeçar.

“Mund të them vetëm që Dortmundi ka marrë një djalë dhe një lojtar të shkëlqyer, – tha trajneri i Junajtidit, – nuk mund të bëj komente të tjera për këtë”. Drejtuesi i Lajpcigut, Markush Krëshe, pohoi se “Halandi ishte tepër interesant për ne, sidomos për në verë, por futbollisti donte ta bënte patjetër lëvizjen e tij në janar, ndaj edhe nuk mundëm të vepronim”. Në verë, Timo Verner mund të largohet dhe Lajpcigu mund ta zëvendësonte me Halandin, por tani duhet të shohë ndonjë alternativë tjetër.

Sfidanti.al