Çfarë mund të thuhet kur një lojtar që e merr për 65 milionë euro, të dëmtohet që në fillim të sezonit dhe rri plot muaj jashtë fushe? Natyrisht, kjo e ka emrin mallkim, aq më shumë tek Mançester Siti që pati shumë lëndime këtë periudhë, por më në fund Ajmerik Laporte do të kthehet. Qendërmbrojtësi francez, doli me barrelë nga fusha në 31 gusht të vitit të kaluar, dhe Pep Guardiola ia vuajti mungesën, aq më shumë që mbrojtja u godit më shumë nga fati i keq, ndërsa kthimi i tij në terren mund të parashikohet për në fund të janarit.
Një lajm i mirë që 25-vjeçari është bashkuar me skuadrën në stërvitje, edhe pse, që nga dita e dëmtimit, deri tek aftësimi i plotë do të kalojnë 5 muaj. Me gjasë, Laporte nuk do ta ndihmojë dot Sitin për të mbrojtur titullin, fituar dy sezone me radhë, por do të jetë i vlefshëm në Champions, aq më tepër që kampionia e Anglisë do të ndeshet me Realin e Madridit në turin e dytë.
Sfidanti.al