Kulushevski-Ibra, dy suedezët tregojnë diferencën mes Juves e Milanit!

Kampionët e Italisë mendojnë dhe investojnë për të ardhmen, ndërsa shtatë herë kampionët e Europës nuk e kanë luksin të shohin aq larg. Juventusi është “shaluar”, ndërsa Milani “nuk po ngjitet dot në kalë”, diçka që e tregojnë lëvizjet e janarit. Bardhezinjtë morën 19-vjeçarin Dejan Kulushevski, një suedez me letra dhe maqedonas me prejardhje, dhe shpenzimim që do të arrijë në 44 milionë euro, tregon se “Zonja e Vjetër” i ka në rregull punët tani për tani, dhe do të sigurojë suksesin në vitet në vazhdim.

Milani ndërkaq mori Zllatan Ibrahimoviçin, 38-vjeçar, vërtet me parametra zero, por me një rrogë të madhe, dhe me nevojën për të siguruar të tashmen. Kuqezinjtë e Piolit janë vërtet në ditë të hallit, hija e skuadrës së madhe të dikurshme, dhe po kapen “me thonj” edhe pas një “pensionisti”, pra pas të shkuarës për të kërkuar suksesin SOT. Gjithsesi, Ibra i jep siguri tifozëve dhe klubit. “Vërtet nuk mund të luaj siç bëja kur isha 28 vjeç, por një lojtar inteligjent di ta trajtojë veten, – u shpreh suedezi, – mund të vrapoj më pak, të jem më shumë pozicional dhe të godas më shumë nga distanca”. Dy suedezë, dy mosha ekstreme, dhe dy gjendje të skajshme për dy klubet e mëdhenj të Italisë.

Sfidanti.al