Donçiç-mania në NBA, slloveni, Numri 1 nga tifozët për Ndeshjen e Yjeve!

Ende jo 21 vjeç, por cilësohet si më i miri i basketbollit amerikan për këtë sezon, deri tani. Luka Donçiç u votua nga tifozët si Numri 1 për Ndeshjen e Yjeve në NBA, duke marrë gjithsej 1 073 957 vota. Ai la pas vetëm për 599 vota, superyllin e Miluokit, Janis Antetokumbo, ndërsa i vetmi basketbollist tjetër që mori mbi 1 milionë vota ishte “Madhëria e Tij”, Lebron Xhejms. Gjigandi i Lejkërsave pati 1 020 851 vota. Tifozët e NBA-së kanë 50 për qind të votave për Ndeshjen e Yjeve, 25 për qind i takojnë basketbollistëve, dhe 25 për qind një paneli të medias.

Donçiç, ylli i Dallasit, u zgjodh vjet si Debutuesi më i mirë i sezonit, ndërsa vazhdon ngjitjen drejt majës. Lojtarët e tjerë të votuar shumë ishin Entoni Dejvis i Lejkërsave me mbi 955 000 vota, Xhejms Hardën e Hjustonit me mbi 749 000 dhe Koui Leonard i Klipersave me mbi 740 000. Donçiç, ndërkaq, udhëhoqi Dallasin në fitoren ndaj Bruklinit, me shifrat 123-111, ndërsa ekipi nga Teksasi është në vendin e 5-të në Perëndim me 22 fitore e 12 humbje. Ai iu afrua një tripëll dabëlli me 31 pikë, 13 topa në tabela e 7 asistë, ndërsa luajti 34 minuta. Për Bruklinin, mbeten të dëmtuar dy yjet e mëdhenj Kevin Durant dhe Kajri Irving.

Sfidanti.al