Bajerni bën “be e rrufe” se nuk e ka menduar që të marrë Rydigerin!

Me gjasë mund të jetë përralla e “Dhelprës dhe rrushve”, ose një taktikë për të mos bërë zhurmë sepse ndryshe shtohet konkurrenca dhe rritet çmimi. Gjithsesi, përbetimi i Bajernit të Mynihut është që nuk ka menduar aspak për të marrë futbollistin e kombëtares së Gjermanisë dhe të Çelsit, Antonio Rydiger. Ky i fundit përfundon kontratën në mbyllje të këtij sezoni dhe për momentin nuk ka lajme për rinovim, ndërsa lajmet në media kanë qenë që bavarezët e kishin si objektiv mbrojtësin e rëndësishëm. “Nuk është mirë që të flasim për lojtarë që janë në ekipe të tjera, – tha drejtori sportiv i Bajernit, Salihamixhiç, – trajneri ynë Nagelsman thjesht iu përgjigj një pyetjeje dhe vlerësoi se Antonio është lojtar shumë i mirë. Kjo është normale, por kjo nuk do të thotë se ne po mendojmë për të. Në qendër të mbrojtjes ne kemi mjaft alternativa, kemi Upamekanon, Lukas Hernandesin, Zylen, Nianzunë, edhe Pavari mund të luajë në atë pozicion”. Gjithsesi, nuk duket shumë bindës fakti që Bajerni nuk mendoka për një lojtar të kampionëve të Europës.

Sfidanti.al