Çfarë ndodhi me anti-Bajernin e paracaktuar të këtij sezoni? Si mundet që një skuadër që dominoi topin dhe fushën për 90 minuta, në fund doli e mundur dhe e turpëruar nga sfida e Bundesligës, duke kuptuar se jo vetëm që nuk mund të “prekë” “mantelin” e kampionit të madh bavarez, por që edhe duhet të shtrëngohet mirë që të sigurojë Championsin për sezonin e ardhshëm.
Borusia e Dortmundit u mund 0-2 në stadiumin e Augsburgut, pas golave të Uduhait në 40’ dhe Kaligiurit në 54’, ndërsa verdhezinjtë u duken si Barcelona “e tredhur” ndonjëherë e viteve të fundit. Mendojeni vetë, skuadra e trajnerit Lysien Favre e mbajti topin 80 për qind (!!!), ekzekutoi 818 pasime ndaj vetëm 202 të vendasve, pati 91 për qind saktësi në këto pasime, gjuajti 18 drejt portës, ndaj vetëm 6 të Augsburgut, por rezultati ishte 0-2. Çfarë pra ndodhi?
Me skemën vetëm me 3 mbrojtës do të duhej një skuadër që të vraponte pa fund për të mbajtur në dorë mesfushën, por ndodhi ndryshe. Lojtarët e Dortmundit vrapuan 112 km, ndërsa ata të Augsburgut vrapuan jo më pak se 123.6 km, një diferencë aspak e vogël, që u pasqyrua në rezultat. Një “tiki taka shterpë” nuk dha rezultat, ndërsa mesfusha e sulmi, me moshë të re nuk mundën të ndihmonin mbrojtjen. Vicel, Gerrero, Bellingham, Reina, Haland e Sanço ishin edhe të rinj, por edhe tepër të orientuar drejt sulmit për të kryer detyrat mbrojtëse. Nuk dihet se çfarë do të ndodhë me trajnerin Favre pas këtij turpërimi, që mediat gjermane nuk ngurruan ta theksonin: Blamage!
Sfidanti.al