Për atë vetë dhe për Veronën kjo është një ëndërr që bëhet realitet. Nuk ka gjë më të bukur sesa të jesh i kërkuar dhe për Marash Kumbullën admiruesit po shtohen sa më shumë kalojnë javët. Përveç Interit e Lacios, ja ku hyjnë në garë edhe klube të tjerë shumë të njohur, Milani, Mançester Junajtidi e Totenhemi. Mediat italiane njoftojnë se kuqezinjtë e drejtuesit Paolo Maldini e të trajnerit Stefano Pioli kanë nevojë për një qendërmbrojtës. Deri tani, Milani kishte shpresë të merrte serbin Milenkoviç nga Fiorentina, por bisedimet kanë dalë të vështira, sepse klubi nga Firence nuk dëshiron ta humbasë atë. Për më tepër kartoni i Milenkoviçit kushton 40 milionë euro, ndërsa besohet se Kumbulla mund të merret për 28 milionë.
Në Angli gjithashtu ka interes për mbrojtësin e kombëtares shqiptare. Trajneri i Mançester Junajtidit, Ole Gunar Solskjer, mendon se ekipi i tij duhet forcuar pak më shumë në mbrojtje, dhe i duhet një partner për kapitenin Megajer e më shumë alternativa. Totenhemi mund të jetë edhe më i interesuar pasi Murinjo e di se skuadra e tij ka më shumë nevojë për përforcime për t’u bërë pretendent për trofe e për të hyrë të paktën në zonën Champions. Kjo i ka rritur aksionet e 20-vjeçarit, dhe po ashtu ka shtuar mundësitë që Verona të përfitojë atë shumë që kërkon për kartonin, rreth 30 milionë euro. Besohet se Interi i Antonio Kontes mbetet favorit për mbrojtësin, por asgjë nuk mund të përjashtohet.
Sfidanti.al