Liverpuli është i paralajmëruar se nuk do ta ketë të lehtë për ta mbrojtur titullin e fituar vjet në Premier Ligë, pasi Mançester Siti është gati. Madje, thotë se është më gati se kurrë. Fjala e Kevin De Brujnit, kjo, me mesfushorin që lëshon sfidën ndaj të kuqve të Jurgen Klopit, edhe pse “qytetarët” nuk e morën dot “Madhërinë e Tij” Lionel Mesin. “Nuk ka asnjë problem që nuk morëm Mesin, – u shpreh Lojtari i vitit në Angli, – nuk e vrasim mendjen për këtë. Ne jemi gjithnjë të uritur, çdo ditë. Vjet shënuam më shumë gola se të gjithë, dhe thuajse pësuam më pak, ndonëse nuk e fituam titullin, sepse bëmë shumë gabime, dhe kjo nuk do të ndodhë më”. De Brujni thotë se nuk ka ndërmend të largohet nga Siti, pavarësisht problemeve me menaxherin e tij, ndërsa paralajmëron Liverpulin se Siti e di sesa e vështirë është të mbrohet titulli.
Sfidanti.al