Çmimi i lojtarit më të mirë ende nuk është vendosur, por fituesit e statistikave në NBA tashmë njihen. Xhejms Harden mund të quhet “mitralozi” i basketbollit amerikan, pasi fitoi titullin e shënuesit më të mirë, madje për herë të tretë radhazi. Ylli i Hjustonit pati mesataren 34.3 pikë për ndeshje, një nivel vërtet tepër i lartë, duke lënë pas rivalë të tillë si Bredli Bil, Damien Lilard apo edhe Janis Antetokumbon e Miluokit, që ishte në mesataren 29.5 pikë. Në total, i mbiquajturi “Mjekra” realizoi 2 308 pikë, 330 më shumë sesa Lilard i Portlendit. Me mbi 21 000 pikë në karrierë, Hardeni shpejt mund të konkurrojë me shënuesit më të mirë në histori në NBA. Kapiten i Hjustonit është numri 1 në NBA edhe për gjuajtjet për tri pikë, duke realizuar 299 kosha nga largësia.
Lebron Xhejms, që vlerësohet si basketbollisti më i kompletuar në histori, fitoi për herë të parë garën e asisteve, duke dalë i pari këtë sezon me 10.2 për ndeshje. “Mbreti i basketbollit” pati diferencë të madhe me vendin e dytë, Trej Jang të Atlantës, dhe me sllovenin Luka Donçiç të Dallasit. Endrju Dramond doli i pari për topat e kapur në tabela, me 15.2 për ndeshje, e pas tij ishin Antetokumbo, Uajtsajd, Gober dhe Domantas Sabonis. Ndërkaq, në garë për çmimin e Lojtarit më të mirë të sezonit janë pikërisht Xhejms Harden, Lebron Xhejms dhe Janis Antetokumbo. Nuk dihet se cili mund të ketë avantazh në këtë konkurrim, por Harden dhe Antetokumbo ndoshta kanë pak më shumë mundësi.
Sfidanti.al