I  kishim tifozët dhe i përzumë, tani i lutemi Shtetit .. na “dhuro” ca tifozë!

Nuk di njeriu i shkretë, sidomos ai që rropatet brënda mureve të FSHF-së, nëse është më mirë kur finalet e Kupës luhen me tifozë apo pa tifozë si kjo e kohës së Pandemisë! Kur nuk e dinim se cili ishte Covidi 19, më shumë frikë kishim nga “virusi i Kupës”, një virus që jo rrallë e ka shndërruar futbollin e finales si një ..kupë me helm. I kishim tifozët dhe lodronim me besën e tyre, duke i dhënë në dorë një fjalëkryq të zgjidhur që të mos e lodhnin kokën. Tani që stadiumet janë boshatisur, për herë të dytë tek ne, një herë nga pabesia e Kupës dhe një herë nga  panbesia që quhet  Pandemi, FSHF bën gjoja sikur nuk luan dot një ndeshje finale të Kupës pa kokërr tifozi.  Është kapur  prapë e ulur në gjunjë para Qeverisë, kupohet para zotit Rama,  duke i kërkuar një nder të fundit : aman, kjo  ndeshja finale e Kupës të luhet me ca tifozë , vetëm me një numër të limituar tifozësh, kur popullata në tribunën e presidentëve është e ngjeshur, pa maska,  sa mund të quhet  pro-covidiane!

FSHF i lutet “Shtetit” për të pranuar tifozët që futbolli i saj të mos ngjasojë më shumë se i vdekur. Shteti nga ana e tij, kurrë nuk i është “lutur” FSHF-së, që finalet e Kupës, më parë se të meritojnë  tifozë, të kenë nderin e një finaleje, ku  fituesit të dalin pas ndeshjes e jo para ndeshjes. Është një ngushëllim i madh që shteti (tamam tamam  zoti Rama)  akoma nuk kanë kthyer një përgjigje që ta dëgjojmë të gjithë, si ajo me “shitjen e jahtit” kur FSHF  i kërkonte shtetit para për të ndihmuar futbollin dhe zoti Rama gjuajti mu në trekëndsh : “ Le të shesë jahtin presidenti juaj për të ndihmuar futbollin…

Sfidanti.al