Siti i jep lamtumirën magjistarit David Silva, Guardiola vështirë të gjejë të dytë!

Tek Mançester Siti pati një pasdite me ndjenja të përziera, ndërsa binte “perdja” e kampionatit anglez. Ish-kampionët padyshim që ishin të mërzitur që mbyllën sezonin duke dorëzuar titullin, por fitorja 5-0 ndaj Noruiçit, jep shpresë për sukses në Champions muajin tjetër. Gjithsesi, ishte edhe koha për lamtumirën me legjendën David Silva. Ylli 34-vjeçar i dha fund karrierës në “Etihad” pas 10 vjetësh në klub, duke fituar 4 tituj në Premier, 2 Kupa të Anglisë, 5 Kupa të Ligës, duke luajtur 434 ndeshje e shënuar 77 gola.

“I dua të gjithë shokët e skuadrës, të gjithë me të cilët kam punuar në këtë klub, – tha spanjolli, – do të më marrë malli shumë për gjithçka. Ka qenë një periudhë fantastike me shumë suksese, që as nuk i ëndërroja kur mbërrita këtu, por tani shpresoj që ta mbyll me një kulm. Synojmë të fitojmë Championsin”. David Silva është cilësuar nga trajneri Pep Guardiola si një nga mesfushorët më të mirë me të cilët ka punuar, dhe të mos harrojmë se tek Barcelona ai kishte Ksavi Hernandezin dhe Andres Iniestën.

Sfidanti.al