Juventusi kampion pas fitores me Sampdorian, titulli i 9-të radhazi!

Ata që besojnë në astrologjinë do të thonë “ishte e shkruar tek yjet”, apo disa të tjerë, “ishte parashikuar në pëllëmbën e dorës”, por duke lënë mënjanë parashikimet misterioze le ta themi shkurt: Juventusi fitoi titullin në Itali për herë të 9-të radhazi! Një arritje madhështore, së cilës iu vu vula me fitoren 2-0 ndaj Sampdorias në stadiumin “Alianc” të Torinos, me gola të shënuar nga Kristiano Ronaldo e Federiko Bernardeski. Skuadra e Mauricio Sarrit ka tani 83 pikë, dhe është e paarritshme nga Interi (76), ndërsa mbeten edhe dy javë për t’u luajtur.

Një histori suksesi, epoka më e madhe në një nga pesë ligat kryesore të Europës (një hap para Bajernit që ka 8 tituj radhazi)! Gjithçka nisi me Antonio Konten në 2011-2012, vijoi me Masimiliano Alegrin në stol, dhe vazhdon edhe sot me Sarrin. Trajneri napolitan fitoi titullin e parë kampion në karrierë, plotësisht të merituar, sidomos për një njeri që e ka nisur karrierën nga shumë poshtë. Lufta e vetme për “Zonjën e Vjetër” është ajo për Këpucën e Artë në Itali e në Europë. Kristiano Ronaldo shënoi një gol, humbi një penallti, dhe tani ka 32 rrjeta, dy më pak se Çiro Imobile i Lacios e Robert Levandovski i Bajernit. Nota e vetme negative e mbrëmjes ishte dëmtimi i Dibalës që mbetet në dyshim për Lionin në Champions.

Sfidanti.al