Paris SG lutet për fatin e Mbapesë, sot mëson nëse luan apo jo në Champions!

Ishte një moment i mallkuar që mund të shkatërrojë shpresën e një sezoni. Dëmtimi i Kilian Mbapesë në finalen e Kupës së Francës, mund ta lerë përfundimisht jashtë ndeshjes çerekfinale të Championsit, diçka të cilën Paris SG lutet që të mos ndodhë. Superylli 21-vjeçar doli nga fusha e lojës me lot në sy nga dëshpërimi e dhimbja, ndërsa ndërhyrja e kapitenit të Sent Etienit, Lua Perre, ishte vërtet e ashpër dhe i kushtoi atij kartonin e kuq.

Kaq e madhe është tronditja e parizienëve nga lëndimi i futbollistit të tyre kryesor, saqë kjo mbizotëroi edhe ndaj festimeve të ligjshme për fitoren e kupës së 13-të të Francës në histori. Klubi i kryqytetit francez njoftoi se Mbape nuk ka këputje ligament, nuk ka dëmtim kocke, por ka dëmtim në kavilje, dhe do të duhen 72 orë për të mësuar shkallën e vërtetë të problemit. Me gjasë, në fillim të javës do të mësohet sesa do të mungojë kampioni i botës.

Trajneri Tomas Tuhel u shpreh i rezervuar pas finales në “Stad dë Frans”, duke uruar që Mbapeja të kthehet në fushë sa më shpejt që të jetë e mundur, dhe që ai të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Atalantës që është programuar në 12 gusht në Lisbonë.

Mungesa e një lojtari të tillë do të ishte një minus i madh për kampionët e Francës, sidomos përballë një kundërshtari të rrezikshëm si Atalanta. Paris SG ka fitoren e Championsit si objektivin kryesor të edicionit, një ambicie që nuk është realizuar ende pavarësisht nga investimet  prej shumë vitesh të sheikëve nga Lindja e Mesme. Ky është dëmtimi i dytë i Mbapesë këtë sezon, dhe drejtuesit parizienë shpresojnë që sulmuesi i tyre të ketë më shumë fat në të ardhmen.

Sfidanti.al