Merkatoja e janarit pritet të sjellë ndryshime skuadrash për futbollistë të ndryshëm shqiptarë, madje mund të bashkojë dhe dy vëllezër në një skuadër.
Bëhet fjalë për Arlind dhe Albian Ajetin, të cilët flitet se mund të transferohen te skuadra e Spal, në Serinë B të Italisë.
Mediat lokale në Ferrara, qyteti i skuadrës së Spal, kanë bërë me dije se Arlind Ajeti është një nga 3 emrat me eksperiencë të konsideruar për përforcimin e mbrojtjes së ekipit që këtë vit u ngjit në Serinë B dhe tashmë është seriozisht në garë për t’u ngjitur edhe në Serinë A.
Pengesa e vetme e afrimit të Ajetit mund të jetë ana financiare, pasi Torino nuk do heqë dorë nga mbrojtësi pa përfituar gjë.
Ndërkohë vëllai i Arlindit, Albiani, i cili gjatë këtij sezoni u huazua nga gjermanët e Augsburgut te zviceranët e St. Gallenit, shihet si një përforcim shumë i rëndësishëm për sulmin, duke parë formën mjaft të mirë të lojtarit në Zvicër.
Transferimi i tij flitet se do të bëhet në bashkëpunim me një skuadër të Serisë A, e cila do të blejë kartonin e Albianit dhe do ta huazojë më pas te Spal.