Çmimet dhe vlerësimet nuk kanë të përfunduar për Kristiano Ronaldon, edhe pse do të ketë gjithnjë vlerësime edhe për të tjerët. Në këtë rast për “të tjerat”. Kristiano u shpall sportisti i vitit në kontinentin europian për 2016-ën, duke përfshirë të gjithë sportet, ndërsa tek femrat numri 1 doli hungarezja Katinka Hosshu (lexohet Hos-shu). Ky vlerësim erdhi nga Shoqata Ndërkombëtare e Shtypit Sportiv (AIPS). Sulmuesi i Realit të Madridit triumfoi në Ligën e Kampionëve, Superkupën e Europës dhe Kampionatin Europian për ekipet kombëtare. Ai pason në këtë çmim, tenistin serb, Novak Gjokoviç. Pas Kristianos, u renditën Andi Marrej dhe Niko Rosberg.
Katinka Hosshu, notare hungareze, pati një 2016 vërtet të përsosur. Ajo doli kampione e trefishtë olimpike në Rio 2016, si dhe mori një medalje argjendi në Olimpiadë, doli kampione e katërfishtë e Europës (tetrakampione), si dhe mori një medalje argjendi, si dhe doli 7 herë kampione e botës në Botërorin në pishinë të shkurtër. Hungarezja pasoi atleten holandeze, Dafne Shipers. Në podium për 2016-ën ishin edhe tenistja gjermane, Anzhelikë Kerber si dhe çiklistja britanike, Lora Trot.